Osmani e Steinmeier pajtohen që propozimi i BE-së ka krijuar “momentum të veçantë”

Prishtinë, 21 shkurt 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier, janë pajtuar se pas propozimit evropian për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është krijuar një “momentum i veçantë”.

Osmani dhe Steimeier, në një bisedë telefonike të zhvilluar të martën, më 21 shkurt, kanë diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin integrues të Kosovës.

“Presidentja Osmani potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces [të dialogut] që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Vetë Presidentja Osmani, në një postim në Twitter, e ka falënderuar Gjermaninë për përkushtimin e saj ndaj procesit të integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“Mirënjohëse për mundësinë që të bisedoj me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier në kuadrin e koordinimit të vazhdueshëm me aleatët tanë.

Ne biseduam për zhvillimet e fundit, përfshirë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE. E falënderoj Gjermaninë për përkushtimin e saj ndaj integrimeve euro-atlantike të Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani.

Kosova dhe Serbia kanë tashmë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve, i njohur edhe si propozim i Francës dhe Gjermanisë, i cili mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë propozim pritet të diskutohet më 27 shkurt, në Bruksel, në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq,

(r.m.)