Bruksel, 30 gusht 2023 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të mirëpresë në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, më 7 shtator, njoftoi aleanca ushtarake perëndimore.
Temë kryesore e takimit Stoltenberg-Osmani pritet të jetë situata e sigurisë në Kosovë, veçmas në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.
Sikurse edhe në takimet dhe ngjarjet tjera të NATO-s, Presidentja Osmani nuk emërohet me funksionin e saj në Kosovë, por vetëm si “zonjë”.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takojë zonjën Vjosa Osmani-Sadriu”, thuhet në njoftim.
Kjo ndodh për shkak se Kosova nuk është njohur ende si shtet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Sipas njoftimit, Sekretari Stoltenberg dhe Presidentja Osmani do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
NATO-ja ka shprehur mbështetjen për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka kërkuar nga të gjithë faktorët që të bëjnë maksimumin për të ulur tensionet midis dy shteteve.
Gjithashtu, NATO ka përsëritur vazhdimisht se misioni paqeruajtës i saj në Kosovë, KFOR, do të mbetet e përkushtuar që të ofrojë qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, që janë rritur që nga fundi i majit, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.
Stoltenberg ka deklaruar disa herë se NATO-ja ka forca të mjaftueshme për të zbatuar misionin e saj në Kosovë.
Kosova, nga ana e saj, ka deklaruar objektivin e saj që të përfshihet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe që të bëhet anëtare e aleancës.
Udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë faktor i fuqishëm për paqe të qëndrueshme ne gjithë rajonin, sepse kështu do të eleminohej rreziku i ndikimit rus nërajon.
(r.m.)