Londër, 19 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka takuar të enjten zonjën Kaja Kallas, e cila pritet të zgjidhet përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri të Bashkimit Evropian.
Takimi është realizuar në Mbretësin ë e Bashkuar, në margjina të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Në njoftimin e Zyrës së Presidentes Osmani thuhet se zonja Kallas është dëshmuar për lidership të fortë e të guximshëm, pikërisht tiparet e nevojshme për paqen e sigurinë në Evropë.
“Paqja dhe siguria në Evropë kërkojnë lidership të fortë dhe të guximshëm, të cilin kryeministrja Kallas e ka demonstruar në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.
Para pak ditësh, Maja Kallas dha dorëheqje nga pozita e kryeministres së Estonisë, për të marrë pozitën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian.
Në këtë pozitë ajo do të ketë rol shumë të rëndësishëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Presidentja Osmani është takuar edhe me Mbretin e Mbretërisë së Bashkuar Charles III, Kryeministrin britanik, Keir Starmer, Kancelarin gjerman Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe me liderë të shumë vendeve që janë pjesë e Komunitetit Politik Evropian.
(r.m.)