Osmani falënderon SHBA-në për lirimin e policëve

Prishtinë, 26 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia.

“Më lejoni të shpreh falënderimet për gjithë punën që ka bërë SHBA-ja për lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët po mbaheshin të kidnapuar”, ka thënë ajo, në konferencën për media me guvernatoren e shtetit të Iowas, Kim Reynolds.

Presidentja Osmani ka thënë se forcat serbe i kishin kidnapuar policët kosovarë brenda territorit të Kosovës.

Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se lirimi i policëve “nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant të agresionit kundër Kosovës”.

“3 zyrtarët e Policisë së Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj Kosovës dhe për shkeljen e Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n.

Shumë faleminderit partnerëve tanë që bënë të mundur lirimin, në veçanti SHBA-në”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka falënderuar vendet aleate që janë angazhuar për lirimin e tre policiëve kosovarë që ishin rrëmbyer nga forcat serbe të sigurisë.

Ministrja Gërvalla, në një postim në Twitter, se policët po i shërbenin me zell në betejën kundër krimit të organizuar, “kur u rrëmbyen nga regjimi i Vuçiqit”.

“Lehtësim dhe gëzim i madh që tre oficerët e Policisë së Kosovë, të rrëmbyer nga një vend i huaj, tashmë janë të lirë!

Ata po i shërbenin me zell për rend dhe ligj në betejën tonë kundër krimit të organizuar kur u rrëmbyen nga regjimi i Vuçiqit.

I falenderojmë të gjithë aleatët tanë që siguruan lirinë e tyre”, ka shkruar Gërvalla.

(r.m.)