Osmani: Incidentet në veri synojnë të krijojnë atmosferë frike e pasigurie

Prishtinë, 3 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

Ditëve të fundit, në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS – Republika e Kosovës.

“Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës”, ka thënë ajo.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një takim me të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Sipas Presidencës, në takim palët kanë biseduar edhe dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, më 27 shkurt në Bruksel, si dhe për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.

Për të diskutuar rezultatet e këtyre takimeve dhe rrugën tutje, më 4 prill në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Burime të Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se në takimin e 4 prillit pritet të diskutohet edhe për çështje e targave.

Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.

(REL)