Osmani: Jemi të gatshëm ta shqyrtojmë mundësinë e mbajtjes së zgjedhje të reja në veri

 Kishinjev (Moldavi), 1 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.

Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha ajo.

Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serbë të komunave veriore.

“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.

Duke iu referuar situatës në komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se situata mund të shtensionohet vetëm nëse Serbia i ndal bandat kriminale atje.

“Mund të ketë shtensionim të situatës, por shtensionimi nis në Beograd, duke i ndalur këto banda kriminale që të shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm. Kjo është kyçe dhe këtë e kemi kërkuar që të ndodhë”, tha Osmani.

Në një intervistë për RTK-në, Osmani konfirmoi se ka pasur një takim të shkurtër të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ajo tha se edhe një herë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje.

“E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe një herë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”, u shpreh ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is Aleksandar-Vuciq-e-Vjosa-Osmani-ne-takim-me-Emmanuel-Macron-Olaf-Scholz-e-Joseph-Borrell.jpg

(r.m.)