Osmani: Kërcënimet ndaj policëve në veri vijnë nga Serbia dhe nga grupet e saj kriminale

Prishtinë, 26 korrik 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dënuar fushatën e linçimit të policëve të rinj serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Në një postim në Twitter, Presidentja Osmani ka thënë se këto kërcënime vijnë nga Serbia dhe nga grupet e saj kriminale.

Ajo ka theksuar se autorët e këtij akti kriminal duhet të përballen me drejtësinë.

“Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë me policët tanë, ndërsa ata me guxim shërbejnë për një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar ajo.

Në fillim të kësaj jave, Policisë së Kosovës iu bashkuan 72 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë. 46 prej tyre janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë dhe 3 turq.

Ndaj policëve serbë, ka nisur një fushatë e egër linçuese nëpër rrjetet sociale. Ata akuzohen se janë vënë në shërbim të politikës së Kosovës e kundër interesit të popullit serb e të shtetit të Serbisë.

Policia e Kosovës tha se shumica dërmuese e llogarive nga të cilat po linçohen policët e rinj serbë janë llogari anonime, të hapura enkas për këtë fushatë linçuese. 

(r.m.)