Prishtinë, 26 mars 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të mërkurën në Prishtinë ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidentja Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë takimit ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i heqë masat e padrejta që kishte vendosur ndaj Kosovës.
Ajo ka thënë se në takim është diskutuar edhe hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian.
“Sot në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së. Poashtu diskutuam për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Presidentja Osmani.
“Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim|, ka shkruar ajo.
(r.m.)