Prishtinë, 21 mars 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog.
Kabineti i Presidentes e cilësoi këtë si bisedë përmbajtjesore që Presidentja Osman zhvillon neë kuadrin e komunikimit të vazhdueshëm të saj me homologë të shteteve mike.
Në njoftim thuhet se Osmani e Herzog kanë biseduar për raportet mes dy shteteve dhe për mundësinë e thellimit të tyre në shumë fusha. Presidentja Osmani ka kërkuar edhe mbështetjen e izarealit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
“Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi Presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai poashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre’, thuhet më tutje në njoftim.
Në fund të bisedës, Presidentja Osmani ka përcjellë urimet më të mira për gjithë popullin izraelit.
(r.m.)