Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.
Presidenca e Kosovës njofton se Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, andaj ka kërkuar mbështetjen e Turqisë për realizimin e këtij objektivi.
Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani dhe ministri Akar kanë biseduar edhe për mundësitë për bashkëpunim ushtarak si dhe për mundësinë e furnizimit me pajisje ushtarake, për trajnimin e oficerëve, nënoficerëve dhe pilotëve të FSK-së dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimimit.
Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën politike aktuale në Kosovë. Ajo ka theksuar se kërcënimet dhe provokimet e vazhdueshme nga Serbia synojnë desatabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.
(r.m.)