Osmani kërkon nga Komisioni Evropian të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë

Prishtinë, 17 tetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë “kanë dëshmuar se Serbia qëndron” pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ajo kërkoi që Komisioni Evropian të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Gjatë një konference për media, Osmani tha se shteti i saj po kërkon që blloku evropian të vendosë masa ndaj Serbisë për shkak të Banjskës, pasi shtetet anëtare të kenë kryer procedurat e tyre për konfirmimin e detajeve të kësaj ngjarjeje.

Ajo tha se Kosova nuk po kërkon sanksione, sepse çdo shtet anëtar ka të drejt vetoje në Këshillin e BE-së dhe të paktën një shtet – pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë – do të përdorte veton për këtë çështje.

Komisioni Evropian, tha Osmani, ka të drejtë dhe kompetenca që të prezantojë masa politike dhe financiare, që nuk kërkon miratim të Këshillit.

Në BE kanë thënë se po presin përfundimin e hetimeve të autoriteteve kosovare për ngjarjet në Banjskë dhe më pas do të mund të ndërmerren masa dhe hapa të rinj.

Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë më 19 tetor, e cila, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në bllokun evropian, do të kërkojë vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë.

Një grup i armatosur serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Serbia ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.

Gjatë konferencës, Osmani tha se janë katër elemente, që sipas saj e çojnë përgjegjësinë për sulmin përmes linjës komanduese, “deri te presidenti serb [Aleksandar Vuçiq]”.

E para, sipas saj, ka të bëjë me financimin e këtij grupi – që Kosova ka thënë se përbëhej prej më shumë se 80 personash të armatosur – e dyta me armët e përdorura, që sipas Osmanit janë “prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë dhe janë dhënë nga shteti serb për terroristët që e kanë kryer sulmin”.

“E treta ka të bëjë me trajnimet të cilat, të cilat as shteti serb nuk i mohon se i ka bërë për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me lidhjet politike të vetë shtetit serb me terroristët që e kanë udhëhequr këtë sulm”, tha Osmani.

Osmani fajësoi qasjen e BE-së ndaj Serbisë, që sipas saj ka “inkurajuar” Vuçiqin për një sulm të tillë.

“Tashmë janë bërë 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim sepse qasja e këtyre 12 vjetëve, e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdorë dhunë dhe të kryejë akt agresioni ndaj Kosovës. Andaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori. I gjithë procesi i dialogut duhet të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator, duke e ditur se është shkelje e nenit 3 të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj”, tha Osmani.

(REL)