Prishtinë, 9 maj 2021 – Në Ditën e Evropës, Presidentja e Kosov⌂s, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje vendeve të bllokut t’ia hapin dyert Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazhnë Facebook, ka thënë se Kosova është një vend paqedashës, me orientim pro-evropian që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të pare”, ka shkruar zonja Osmani në Facebook.
Ajo ka theksuar se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’ia hapë hapë dyert Kosovës.
“Tradicionalisht, në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, ka shkruar ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta mbajë fjalën dhe të miratojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ajo u është drejtuar me mesazh edhe qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se Bashkimi Evropian është “shtëpia e jona”.
“Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!”, ka thënë Presidentja Osmani.
Mesazhi i plotë i Presidentes Osmani:
Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë
Sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund.
Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë.
Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.
Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm.
Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!
(r.m.)