Osmani: Kosova duhet ta ketë draftin e saj të Statutit të Asociacionit

Prishtinë, 2 maj 2023 – Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Kosova duhet ta ketë draftin e saj të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ajo ka thënë se Kosova nuk bën të lejojë që një draft nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëhet bazë për negociatat për Asociacionin.

“Pritjet e mia, si Presidente e Republikës, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, sepse nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajturi ekip menaxhues që, në realitet, është draft i Vuçiqit. të bëhet bazë e negociatave”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të Shteteve të Bashkara të Amerikës dhe që siguron që nuk do të cenohen integriteti territorial, karakteri unitar dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës e bëri  këtë deklaratë para takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ku pritet të paraqitet drafti i parë i statutit të Asociacionit.

(r.m.)