Osmani: Kosova, e bekuar për mbështetjen e kancelarit Scholz dhe miqësinë me Gjermaninë

Selanik, 10 qershor 2022 – Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të premten në mbrëmje, në Selanik, ka marrë pjesë në një darkë të përbashkët pune me krerët e shteteve të Evropës Juglindore.

Në një foto nga darka, kancelari Scholz shihet se ishte i ulur në tavolinën qendrore, midis nikoqirit, kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në krah të Mitsotakisit ishin ulur kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, dhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kurse në krah të Osmanit ishte i ulur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përballë tyre ishin ulur: kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Presidentja Osmani, në një postim në Twitter, ka thënë se Kosova është e bekuar që e gëzon mbështetjen e Kancelarit Scholz dhe për miqësinë me Gjermaninë.

“Kosova është e bekuar për mbështetjen që e ka nga Kancelari Scholz dhe për miqësinë me Republikën Federale të Gjermanisë.

Jam e lumtur që Kancelarin e takova në Selanik, në Samitin SEECP, ku e falënderova për angazhimin e tij personal për rajonin tonë”, ka shkruar Osmani.

Takimi me kancelarin gjerman u zhvillua në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).

(r.m.)