Osmani: Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në veri

Prishtinë, 7 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i tha të mërkurën agjencisë së lajmeve Reuters se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në komunat veriore, nëse komuniteti serb që është shumicë në to nënshkruan peticion me kërkesë të tillë.

Ndonëse ka mundësi që zgjedhjet të mbahen pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave të zgjedhur më 23 prill, por peticioni tha ajo do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

“Para së gjithash, ne po diskutojmë për zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, të cilat mendoj se paraqesin një hap të madh drejt shtensionimit dhe ofrojnë një zgjidhje afatgjatë sepse u japin serbëve që jetojnë në veri një instrument për të zgjedhur kryetarët e komunave të tyre, dhe një mundësi të përfaqësohen nëpërmjet një votimi demokratik, një procesi demokratik”, tha zonja Osmani.

Por, përpara se të vazhdohet me një proces të ri zgjedhor, tha presidentja Osmani, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të ofrojë siguri se nuk do të ketë ndërhyrje të Beogradit në të.

“E kam fjalën për ndërhyrje ilegale të huaja në zgjedhjet tona nëpërmjet dhunës, frikësimit dhe shantazhit që ata po bënin ndaj kandidatëve serbë dhe sigurisht ndërhyrje si herën e kaluar, kur i detyruan kandidatët të tërhiqen nga gara për zgjedhje, duke bërë që serbët të cilët jetojnë atje të mos kenë asnjë nga kandidatët e tyre në listë dhe natyrisht që ata nuk morën pjesë në zgjedhje pastaj”, tha ajo.

Presidentja Osmani arsyetoi veprimet e policisë së Kosovës në komunat veriore ku protestat e komunitetit serb të cilat po vazhdojnë që nga 26 maji, u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar.

“Ajo që ndodhi atë mëngjes të së premtes ishte se kryetarët donin të shkonin në punë dhe për shkak se u ndaluan nga grupe kriminale, vetëm atëherë ndërhyri policia. Pra praktikisht, ashtu si në çdo vend tjetër demokratik, nëse qytetarët rrezikohen nga një grup bandash kriminale, padyshim që policia do t’i ndihmonte. Kështu ndodhi. Ata po përpiqeshin të shkonin në një ndërtesë që i përket Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Diplomacia perëndimore fajëson Kosovën për përshkallëzimin e situatës në veri të vendit ndërsa vazhdon thirrjet për zgjedhje të reja dhe kthim në tryezën e bisedimeve për të gjetur rrugë mbi zbatimin e marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë besoj se ne mund të ecim përpara me këtë proces aq shpejt sa dëshiron Bashkimi Evropian që të ecim. Ata duhet të thërrasin këto takime ku do të diskutohen projekt propozimet. Nuk kam shumë besim se Serbia, sido që të jetë, pajtohet me projekt propozimet që janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Kështu që ata do të përpiqen të zvarrisin, vonojnë dhe bllokojnë procesin. Por kjo nuk duhet të bllokojë punën tonë me partnerët ndërkombëtarë. Dhe ne jemi të gatshëm, siç thashë, për të zbatuar angazhimet tona. Ne nuk po ikim prej tyre”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara u shprehën të zemëruara me qasjen e Kosovës në veri, duke kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe duke paralajmëruar pasoja për mungesën e bashkërendimit.

“Ka raste kur kemi mosmarrëveshje me komunitetin ndërkombëtar për taktikat. Por shikoni, edhe në mesin e miqve më të mirë, madje edhe në familje, ndonjëherë keni mosmarrëveshje. Për çfarë nuk kemi mosmarrëveshje, sipas vlerësimit tim me komuniteti ndërkombëtar, është se nga duhet të shkojë rajoni dhe ky është integrimi euroatlantik”, tha presidentja Osmani.

Mbajtja e zgjedhjeve të reja është propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

(Zëri i Amerikës)