Osmani: Kosova është mishërim i vlerave evropiane

Prishtinë, 9 maj 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, ka thënë se Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i vlerave evropiane.

“Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Presidentes Osmani.

“Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave”, theksohet në mesazh.

9 Maji, Dita e Evropës, është festë zyrtare në Kosovë

Mesazhi i plotë i Presidentes Osmani:

Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot.

Në këtë kohë përcaktuese, Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit. Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian.

Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave. E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i palëkundur, sepse vendosmëria jonë për demokraci, paqe, të drejta të njeriut e sundim të ligjit, mbetet poashtu e palëkundur.

(r.m.)