Osmani: Kosova është një ndër storiet më të mira të suksesit

Mynih, 18 shkurt 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është “një ndër storiet më të mira të suksesit”.

“Besoj fuqishëm dhe jam e bindur se të gjithë ndërkombëtarët që, në një mënyrë ose tjetër, janë të përfshirë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës e dinë se Kosova është një ndër storiet më të mira të suksesit… Është shembull i shtetit demokratik”, tha ajo në panelin “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Pjesë e panelit ishin edhe zvendës-Presidentja e Francia Elena Márquez, Ministrja  për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë, Svenja Schulze, dhe liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Presidentja Osmani, në  fjalën e saj, foli për rolin e grave në rezistencën paqesore të viteve ’90, në luftën përçlirim dhe në procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

“Gratë e Kosovës janë vetë sinonimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke qenë se ato e kanë jetësuar atë ndër vite”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani foli edhe për pjesëmarrjen e grave kosovare në qeverisje, në institucione profesionale dhe në shoqërinë civile. Ajo theksoi se Kosova mund të shihet fare lehtë si epiqendër e diskutimeve strategjike mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke pasur parasysh rolin e grave në historinë e Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Presidentja Osmani kujtoi se Kosova e organizoi Forumin e parë Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili ka qëllim shkëmbimin e përvojave në implementimin e agjendës për pjesëmarrjen e grave në procese të paqes dhe sigurisë.

Presidentja Osmani foli edhe për njërën ndër plagët e thella të luftës në Kosovë, dhunën seksuale. Ajo tha se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në trajtimin e viktimave të kësaj forme luftës speciale të Serbisë në Kosovë.

(r.m.)