Osmani: Kosova është partnere e përkushtuar e NATO-s, do të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për adresimin e sfidave të sigurisë

Bruksel, 8 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s në Bruksel, është pritur në takim nga Admirali Rob Bauer, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Zyra e Presidentes njofton se në takim është diskutuar për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s për lirinë dhe sigurinë e Kosovës, për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës e NATO-s dhe për koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve te sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it. Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për gratë dhe burrat që shërbejnë në misionin e NATO-s për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

Në njoftim thuhet gjithasahtu se Presidentja Osmani dhe Admirali Bauer kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e grupeve kriminale serbe në veri të Kosovës ndaj forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve dhe gazetarëve.

Presidentja Osmani ka theksuar se sfidat e sigurisë nuk janë asnjëherë përgjegjësi individuale, por përgjegjësi kolektive. Ajo ka thënë se Kosova, si partnere e përkushtuar e NATO-s, do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët për t’i adresuar bashkërisht sfidat e sigurisë dhe për të promovuar paqen dhe sigurinë.

Presidentja Osmani e ka ritheksuar aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo ka kwrkuar përfshirjen e Kosovws në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap drejt integrimit të plotë në aleancë.

Të premten, Presidentja Osmani e ka takuar përfaqësuesin e përhershëm të Turqisë në NATO, Zeki Levent Gumrukcu.

“Diskutuam për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për përpjekjet për t’i ruajtur të arriturat tona të përbashkëta”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Presidentja e Kosovës e ka pasur një takim edhe me përfaqësuesit e QUINT-it në NATO.

“Diskutuam mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe rolin konstruktiv të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Gjatë vizitës në Bruksel, Preesidentja e Kosovë e ka zhvilluar një bisedë edhe me përfaqësuesen e përhershme të SHBA-së në NATO, Julianne Smith, ku ka shprehur përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të. 

4

3(r.m.)