Prishtinë, 3 shtator 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Orav mirëseardhje dhe sukses gjatë mandatit të tij. Ajo ka ritheksuar përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend si edhe për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së”, thuhet në njoftim.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022. Ajo është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian thhet se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.
(r.m.)