Prishtinë, 21 shkurt 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, në përmbyllje të vizitës së saj në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka thënë se, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kanë qenë folës nëdisa paneve e tryeza dhe kanë takuar përfaqësues të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare.
Presidentja Osmani, në njëpostim në Facebook, ka thënë se ata kanë shprehur në të gjitha rastet vendosmërinë dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve me shtete të tjera dhe për realizimin e interesave shtetërore të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Ajo ka theksuar se Kosova ka miq të shumtë në botë, të cilat do t’i shtojë dhe do t’i thellojë edhe më shumë.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.
Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë.
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/496947211789823
(r.m.)