Osmani: Kosova ka modelin më të mirë të trajtimit të të drejtave të pakicave

Prishtinë, 14 mars 2023 – Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se i kanë analizuar 15 modelet evropiane të Bashkimit Evropian për të drejtat e pakicave në Kosovë. ajo theksoi se modeli që e ka aktualisht Kosova është më i mirë se të gjitha modelet  e prezantuara.

“Modelet të cilat janë prezantuar, të 15-tat, nuk kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele për të drejtat e pakicave. Në disa modele ka më pak të drejta se sa që Kosova aktualisht u jep pakicave. I kemi analizuar këto modele, por sërish do të thoja se modeli më i mirë se ato 15 është ai që ka aktualisht Kosova”, tha ajo.

Osmani tha se megjithatë Kosova është e gatshme të shqyrtojë modelet evropiane.

“Megjithatë, ne jemi aty për të diskutuar elementet e tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje dhe diversitet të vazhdueshëm”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se Kosova nuk do të pranojë kurrfarë modeli që do të binte ndesh me Kushtetutën e vendit.

Presidentja e Kosovës tha se ajo nuk pret që Serbia të jetë konstruktive në takimin e 18 marsit në Ohër, por shpreson që komuniteti ndërkombëtar do të ushtrojë presion më të madh ndaj Serbisë për të pranuar marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk kemi pritje të mëdha nga ana e Serbisë. Shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet në një presion nsaj Serbisë në mënyrë që ajo të bindet që takimi i 18 marsit në Ohër është një momentum i rëndësishëm në procesin e dialogut, që do të zgjidhen shumë çështje, të cilat hapin rrugë drejt njohjes reciproke”, tha Osmani.

“Presidenti serb jep sinjale që tregojnë se ata nuk ka ndryshuar dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë. Kontributi i tyre i vetëm në proces ka qenë obstruksioni dhe kjo nuk është as gjë e re. Kjo ka ngjarë në këto 12 vite të dialogut”, theksoi ajo.

(r.m.)