Osmani: Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në planin ndërkombëtar

Prishtinë, 16 janar 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën¸ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ku është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe për sigurinë në Kosovë.

Presidentja Osmani ka thënë se Shqipëria e ka mbështetur Kosovën në periudha të rënda për historisë së saj, si edhe në procesin e shteformimit e shtetndërtimit, për çka ajo ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar. Ajo ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit të saj në panin ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm dhe për këtë është shumë me rëndësi mbështetja e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur ajo, duke theksuar se Shqipëria është më shumë se një partner strategjik e Kosovës.

Presidentja Osmani dhe ministri Hasani kanë diskutuar edhe për koordinimin e veprimit për njohje të reja të Kosovës, si edhe për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe, si hap pararendës i anëtarësimit në NATO, por edhe për pranim në organizata të tjera ndërkombëtare.

Dukefolur për zhvillimet e fundit politike dhe dhe për situatën e sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe me vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.

Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar, por edhe të vendeve të rajonit, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

(r.m.)