Osmani: Kosova nuk do ta mbështesë asnjë nismë paralele me Procesin e Berlinit

Berlin, 14 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova nuk do të mbashtesë asnjë nismë paralele me Procesin e Berlinit, të cilin e ka cilësuar si ”shtysë të fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

“Çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Procesin e Berlinit, duke e minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.

Zonja Osmani e ka shprehur këtë qëndrim në Berlin, në takimin e saj zyrtar me Presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja të shtetësisë së Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, kakërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Ajo ka theksuar se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rendit kushtetues dhe e kufijve të Kosovës.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar mbështetjen e Gjermanisë në të gjitha fushat dhe është angazhuar për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmëtë bashkëpunimit. Ajo ka bërë thirrje për shtimin e investimeve direkte gjermane në Kosovë dhe ka shprehur nevojën për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të mirëkuptimit mes Gjermanisë e  Kosovës, përfshirë marrëveshjen për heqjen e taksës së dyfishtë.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.

(r.m.)