Prishtinë, 18 shtator 2024 – Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se dialogimi me Serbinë për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit përbën shkelje të sovranitetit të Kosovës dhe Kushtetutës së vendit.
Ajo ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duhet të pyetet se për çfarë temash është dakorduar të diskutohet në Bruksel, pasi tha se tema e urës duhet të diskutohet me partnerët e sigurisë “pasi edhe Marrëveshja e Brukselit e kërkon një gjë të tillë”.
“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë temash është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, ka thënë Osmani të martën, pas lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Presidentja ka shtuar se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të jetë i qendruehem “dhe që nuk mund te sfidohet nga askush”.
Sipas saj, Kosova ka qenë palë konstruktive në dialog me Serbinë, por që siç tha ajo, nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë.