Shkup, 6 nëntor 2023 – Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kërkuar që të marrë pjesë në Këshillin Ministror të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në fund të nëntorit në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Shkupi është duke kryesuar OSBE-në.
Kërkesën për pjesëmarrje të kryediplomatit rus e konfirmoi më 6 nëntor shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, i cili tha se ka marrë një letër nga ministri i Jashtëm i Rusisë, përmes së cilës Lavrov ka paraqitur kërkesën për pjesëmarrje në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së.
“Kam marrë një letër para disa ditësh nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë në të cilën ai ka theksuar kërkesën për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida rreth kësaj kërkese, sepse hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve tanë është e mbyllur për fluturimet shtetërore ruse, prandaj këtu duhet të bëhen disa përpjekje logjistike… Ndryshe, si rregull, të gjitha vendet anëtare duhet të marrin pjesë në këtë Këshill të OSBE-së, por kjo do të varet nga vendimet që do të merren në ditët në vijim. Shpresoj që të gjithë të arrijmë të jemi në Shkup”, tha Osmani.
Osmani tha se OSBE-ja në 50 vjetët e ekzistimit të saj po përballet me krizë të thellë pasi nga viti 2021 ka buxhetin e bllokuar ndërsa nuk ka arritur të zgjedhë as drejtuesit në disa pozita kyçe. Veç kësaj, për shkak të bllokadës ruse, ende nuk ka një shtet kryesues për vitin 2024.
“Agresioni kundër Ukrainës u shkaktua nga vetë organizata [Rusia, që është anëtare e OSBE-së], kështu që niveli i besimit midis vendeve pjesëmarrëse është në nivelin historik të ulët dhe vendimet e marra në OSBE nuk mund të merren me konsensus – jo vetëm vendimet politike, por edhe për funksionet themelore të organizatës, dhe për herë të parë ne po përballemi me mungesën e kryesuesit për vitin e ardhshëm”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha sse shpreson se do të vijnë ministrat e shteteve më të fuqishme në botë – Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë.
(Isuf Kadriu, REL)