Osmani: Marrëdhëniet me SHBA-në – ekzistenciale për Kosovën

Prishtinë, 18 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e përkushtuar të thellojë edhe më tej bashkëpunimin politik, ekonomik e ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të vendosur për t’i forcuar më tej marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike”, ka shkruar presidentja Osmani, në profilin e saj në Facebook.

“Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike”, ka theksuar ajo.

May be an image of 2 people, people standing and people sitting

Presidentja Osmani i ka bërë këto komente të premten, pas takimit me një delegacion amerikan që kryesohej nga Elizabeth Sherwood-Randall, asistente e presidentit të SHBA-së për Siguri Kombëtare.

Pjesë e delegacionit janë edhe Curtis Reid, drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Hillary Hurd, këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe Holly Holzer, koordinatore e Departamentit të Shtetit për Zhvendosjen nga Afganistani (CARE).

May be an image of 8 people, people sitting, people standing and indoor

Delegacioni amerikan do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vizita e delegacionit amerikan në Kosovë realizohet në kohën e paralajmërimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë mund të reflektohet edhe në situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia synon të  shtrijë ndikimin, përmes aleatit të saj politik  e ushtarak, Serbisë.

Autoritetet e Kosovës paralajmërojnë rrezikun e provokimit të një konflikti të ri nga Serbia, prandaj kërkojnë pranimin e Kosovës në NATO me procedurë të përshpejtuar. 

(r.m.)