Berlin, 17 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka mohuar se marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë janë ftohur kohët e fundit.
Në një intervistë për Radion Deutsche Welle, presidentja Osmani ka thënë se Qeveria e Shqipërisë i ka ftohur marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës për shkak të nismës rajonale “Open Balkan”, të inicuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Novi Sad të Serbisë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk mund t’i bashkohet kësaj nisme, derisa Serbia vazhdon ta mohojë ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Nuk do të thoja që kjo ka të bëjë me javët e fundit. Është diçka që po ndodh për vite me radhë, megjithatë, ne si institucione të reja të Kosovë nuk kemi dhënë asnjë arsye të vetme që do të nxiste Shqipërinë të ftohte marrëdhëniet me Kosovën apo të mos përkrahte Kosovën. Ne çfarë kemi bërë, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën ‘Open Balkans’, e njohur si iniciativa e Novi Sadit, për shkak se aty nuk mund t’i shtyjmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet. Iniciativa të tjera rajonale, të cilat na shtyjnë pozitivisht drejt Bashkimit Evropian, ekzistojnë. Ai është Procesi i Berlinit dhe ne atë e shohim si atë kulmin e përbashkët ku rajoni ynë ulet dhe mund të arrijë sukses”, ka thënë Presidentja Osmani.
(r.m.)