Prishtinë, 30 dhjetor 2023 – Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, ka folur për sfidat me të cilat përballet vendi dhe pë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore dhe subjekeve politike për t’i përballuar ato.
Në një intervistë për televizionin “Dukagjini”, ajo ka thënë se edhe me kryeministrin Albin Kurti mund të ketë pikëpamje të ndryshme politike, madje edhe debate të zjarrta, por në fund gjithmonë gjejnë gjuhë të përbashkët për çështje me interes shtetëror, siç është ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nuk do të thotë që nuk kemi debate të zjarrta. Kjo (çështja e Asociacionit) nuk ka qenë një prej tyre. Ka gjithmonë debate të zjarrta, por në fund gjithmonë e gjejmë një rrugë përpara dhe një mirëkuptim. Është me rëndësi qëllimet t’i kemi të përbashkëta, qëllime që kanë të bëjnë me një Kosovë çdo ditë e më të suksesshme, çdo ditë e më të fuqishme, edhe brenda edhe jashtë, sepse fuqizimi i ynë përbrenda reflekton edhe ndërkombëtarisht. Natyrisht, çdo ditë marrim vendime që janë në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë ajo, kur është pyetur nëse ka përçarje në raportet midis saj e kryeministrit Kurti.
Presidentja Osmani ka thënë se dallimet në pikëpamje nuk duhet të dëmtojnë proceset politike në të mirë të shtetit.
“Edhe pse ne jemi rritur ndryshe politikisht, kemi të kaluar të ndryshme politike, kjo nuk do të thotë që lejojmë që këto dallime ta dëmtojnë Kosovën, Nga dita e parë e bashkëpunimit jemi marrë vesh që edhe kur kemi dallime dhe kur bëjmë debate, sado të gjata qofshin ato, në fund të arrijmë një qëndrim të përbashkët, i cili është në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
“Synimet e përbashkëta janë thelbësore për të avancuar interesat e vendit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar nevojën për bashkëpunim midis institucioneve, ndonëse ato kanë kompetenca të ndara, sepse ndonjëherë ato gërshetohen.
“Ne jemi dy institucione të ndryshme, kemi kompetenca të ndara, por në shumë raste ato edhe gërshetohen. Prandaj është e domosdoshme të bashkëpunojmë për t’i realizuar synimet dhe qëllimet e përbashkëta”, ka përfunduar ajo.
(r.m.)