Osmani: Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 7 shtator 2024 – Presidentja e Republikës së Kosovës ka kujtuar sot 7 shtatorin, Ditën e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”.

Në deklaratën e saj në kujtim të kësaj date, Presidentja Osmani tha se “miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës”.

“7 shtatori i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut, është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.

Ky akt historik simbolizon guximin, unitetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës në luftën e pandërprerë për liri e pavarësi.

Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës.

Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë”, thuhet në deklaratën e Presidentes Osmani.

(r.m.)