Osmani mirëpret miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 15 janar 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshëndetur miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Osmani ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës e refuzojnë njëzëri mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare.

Ajo ka shprehur kënaqësinë që rezoluta umiratua me një konsensus të gjerë të grupeve parlamentare.

“Mirëpres konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë”, kathënë mes tjerash presidentja Osmani.

Në rezolutën që u miratua të shtunën  në Kuvendin e Kosovës kërkohet që qeveria dhe institucionet tjera shtetërore të Kosovës që “të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës”.

(r.m.)