Osmani ndodhet në Rohde Island me ftesë të sekretarit amerikan të marinës

Prishtinë, 16 dhjetor 2024 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se ajo ndodhet në Rohde Island të SHBA-ve, me ftesë të sekretarit amerikan të marinës, Carlos del Toro. Ajo do të marrë pjesë në Simpoziumin e 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Me ftesë të sekretarit amerikan të marinës, z. Carlos del Toro, jemi në Rohde Island të SHBA-ve, në prag të Simpoziumit të 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Momente si këto janë një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit për avancimin e paqes dhe stabilitetit në nivel global”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Presidentja Osmani, gjatë qëndrimit në Uashington, ka pasur një darkë pune me Drejtorin për Evropën në Shtëpinë e Bardhë, Ambasadorin Mike Carpenter.

“Në një darkë pune me Drejtorin për Evropën në Shtëpinë e Bardhë, Ambasadorin Mike Carpenter, e falënderova për kontributin e tij shumëvjeçar dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën e pavarur, sovrane dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Osmani. 

(r.m.)