Osmani në CNN: Kosova është viktimë e një akti të agresionit nga Serbia

Prishtinë, 3 tetor 2023 – “Kosova është nën sulme. Kosova është viktimë e një akti të agresionit që ka ndodhur një javë më parë”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën, një intervistë për CNN.

Ajo tha se ky akt agresioni, i kryer më 24 shtator në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, është planifikuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë

“Ishte qartësisht akt agresioni, i urdhëruar nga shteti i Serbisë e i kryer nga grupet terroriste paramilitare. Ky akt nuk ndodhi aty për aty, por ishte i planifikuar, i realizuar me trupa të stërvitur”, theksoi ajo.

“Ky agresion nuk ndodhi vetëm një herë, por ishte i planifikuar dhe i përgatitur shumë mirë, me qëllimin e vetëm – për ta aneksuar veriun e Kosovës, sepas modelit të agresionit të Rusisë në Krime”, shtoi ajo.

Presidentja Osmani tha se së shpejti do të publikohen prova të tjera që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin e armatosur në Banjskë.

Presidentja Osmani e akuzoi Serbinë për “përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar” Ballkanin Perëndimor, për interesa të Rusisë.

“Serbia do tension, do ta destabilizojë rajonin që ta lejojë Putinin të hapë një front të ri lufte në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.

Osmani tha se mungesa e ekuilibrit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta sulmojë Kosovën. Sipas saj, Vuçiqi ka qenë i bindur se do të shpëtojë pa pasoja. Ajo tha se Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog.

“Është vetëm një palë konstruktive në dialog dhe ajo është Kosova, e cila i ka zbatuar 99% të obligimeve që i ka marrë qe 12 vjet. Kjo është e kundërta e asaj që po bën Vuçiqi. Ai nuk i zbaton kurrë zotimet. Është një listë e gjatë e zotimeve që ka bërë dhe nuk i ka zbatuar. Çfarë po kërkon Kosova është shumë e thjeshtë – duam ekuilibër, duam drejtësi nga ky dialog, të cilin, fatkeqësisht, nuk po e marrim. Është mungesa e ekuilibrit dhe drejtësisë që e ka inkurajuar Vuçiqin për të kryer akt agresioni, pasi mendon se mund të shpëtojë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani kërkoi ekstradimin në Kosovë të udhëheqësit të grupit të armatosur që kreu sulmet në jsn veriore të Kosovës, Milan Radoiçiq, si dhe të pjesëtarëve tjerë të grrupit, pasi nuk beson në drejtësinë e Serbisë.

“Serbia nuk ka histori të mirë në vënien e drejtësisë në vend. Nuk ka asnjë rast që kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe në Bosnjë që jenë vënë para drejtësisë”, tha ajo, ndër të tjera.

(r.m.)