Osmani në DASH: Kosova është e përgatitur për integrim në NATO

Uashington, 5 shkurt 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të mërkurën në Departamentin e Shtetit në UJashington me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono.

Zyra e Presidentes Osmani njoftoi se në fokus të takimit ka qenë forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se Presidentja Osmani e ka riafirmuar “përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale”.

Në takim është diskutuar edhe për sigurinë në rajon.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon”, thuhet në njoftim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka thënë se është e përgatitur për integrim në NATO, duke theksuar se kjo “përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e në rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale”.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova tashmë e ka rritur buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së mëtejme të këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.

Zyra e Presidentes Osmani bën të ditur se e para e vendit e ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.

This image has an empty alt attribute; its file name is Luis-Bono-e-Vjosa-Osmani-ne-DASH-1.jpg

Louis Bono u emërua ushtrues detyre i Ndihmës Sekretarit të Shtetit më 20 janar. Presidentja Osmani është zyrtarja e parë shtetërore e Kosovës që takohet me një zyrtar të administrates së Presidentit Donald Trump.

Presidentja Osmani ndodhet në SHBA me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, dhe për të mbajtur fjalimin kryesor në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.

(r.m.)