Osmani në Gardën Kombëtare të Iowa-s: SHBA-ja partneri kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes

Des Moines (Iowa, SHBA), 24 tetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare në shtetin e Iowa-s në SHBA. Të martën, ajo, bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, e vizitoi Gardën Kombëtare të Iowa-s, ku u prit nga komandanti, gjeneralmajor Stephen Osborn.

Presidentja Osmani u njoftua nga afër me ambientet e ushtarakëve të gardës, përfshirë një kënd të veçantë të ushtarakëve të Kosovës që trajnohen në Gardën e Iowa-s.

Ajo i shprehu gjeneral-majorit Osborn mirënjohje të thella për mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe vazhdon të japë Garda Kombëtare e Iowa-s në zhvillimin e aftësive dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së, qysh prej vitit 2011.

Presidentja Osmani theksoi se SHBA-ja ka qenë mbështetësja kryesore e përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, ka qenë dhe vazhdon të jetë garantuesi kryesor i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe mbështetëja më e madhe e procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi se SHBA-ja është partneri kryesor strategjik i Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe ka rol primar në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ajo e vlerësoi veçanërisht partneritetin me Shtetin e Iowa-s dhe me Gardën Kombëtare të Iowa-s, me të cilën ka një bashkëpunim të shkëlqyer Forca e Sigurisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës bëri një xhiro me helikopter ushtarak mbi terrenet ku trajnohen pjesëtarët e Gardës së Iowa-s, përfshirë pjesëtarët e FSK-se, dhe vizitoi mjetet e pajisjet ushtarake dhe Qendrën Mjekësore Ushtarake “Camp Dogne”.

https://twitter.com/EgnesaVitia/status/1716865527531123151?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1716865527531123151%7Ctwgr%5Efc224fcf9c53c2279cbacf1130affe6ec8d9af91%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fosmani-ne-iowa-shba-ja-partneri-kryesor-strategjik-ne-fushen-e-mbrojtjes%2F

(r.m.)