Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në partinë e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka individë që janë përfshirë në akte terroriste, në akte agresioni dhe në cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.
“Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo për KOHËN.
Lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Presidentja Osmani ka thënë se vendimet e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili është institucion i pavarur kushtetues dhe vendos në mënyrë të pavarur, duhet të rerspektohen.
“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, tha ajo.
KQZ-ja të hënën vendosi të mos e certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit. Certifikimi u refuzua me shumicë votash, për shkak të përmbajtjes së kryetari i saj Zllatan Ellek.
Në prezantimin e listës zgjedhore të Listës Serbe, Ellek nuk iu referua Kosovës me emrin e saj kushtetues, por me emërtimin “Kosovo i Metohija” të miratuar nga Kuvendi Gjithëserb që e konsideroi Kosovën pjesë të Serbisë, si edhe për përmbylljen e fjalës së tij me urimin “Rroftë Serbia!”.
(r.m.)