Osmani në Munih shpreh shqetësimin për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Munih, 19 shkurt 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë pjesë e panelit të diskutimit lidhur me sfidat e demokracisë në Evropë, të zhvilluar të shtunën në kuadër të Konferencës për Siguri në Mynih.

Në këtë panel kanë marrë pjesë edhe Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dhe liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Presidentja Osmani foli për rëndësinë e demokracisë nga perspektiva e vendit, i cili ka sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë dhe pavarësinë.

Kabineti i Presidentes bëri të ditur se Presidentja Osmani ka folur edhe për proceset për forcimin e demokracisë në Kosovë. Ajo ka theksuar se demokracia është shtyllë kyçe e procesit të shtetndërtimit dhe të zhvillimit të Kosovës.

Ajo ka thënë se Kosova është e përkushtuar për avancimin e mëtejmë të demokracisë në vend.

Presidentja Osmani e ka shprehur shqetësimin lidhur edhe me sfidat aktuale në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë pasojë e përpjekeve të Rusisë për rritjen e ndikimit, përmes akteve destabilizuese.

Ajo ka folur edhe për sfidat me të cilat përballen shoqëritë demokratike. Ajo ka theksuar nevojën për kundërshtimit të pushteteve autoritare kudo në botë dhe për formimin e bashkëpunimit midis institucioneve dhe shoqërive demokratike.

(r.m.)