Osmani në Parlamentin Evropian: Kosova është pjesë e qytetërimit evropian

Strasburg, 14 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i qëndrojë pranë popullit të Kosovës e në mbrojtje të vlerave të përbashkëta.

Në adresimin e saj në Parlamentin Evropian, në Strasburg, të cilin e nisi me togfjalëshin “Liri, Pavarësi, Demokraci”, me të cilin Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i ishte drejtuar këtij parlamenti, me rastin e pranimit të çmimit “Saharaov”, Presidentja Osmani theksoi se populli i Kosovës është pjesë e historisë së qytetërimit evropian.

“Sot jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen tuaj të palëkundur dhe në këtë moment kritik, t’ju bëj thirrje që të qëndroni të palëkundur pranë nesh. Jo vetëm se jemi pjesë e familjes së kombeve që formojnë kontinentin tonë, por sepse vlerat që përfaqëson ky Union janë pjesë themelore e historisë sonë. Vlerat evropiane janë thurur thellë brenda indeve të shoqërisë sonë”, tha Presidentja Osmani.

“Vlerat evropiane dhe fryma e BE-së janë të ngulitura thellë në ADN-në tonë. Janë këto vlera që formësuan të kaluarën tonë, që e frymëzojnë të tashmen dhe na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku Kosova lulëzon si fener i idealeve evropiane”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në BE dhe në strukturat euro-atlantike është orientim strategjik i Kosovës.

“I gdhendur edhe në kushtetutën tonë, integrimi euroatlantik mbetet destinacioni ynë i parë dhe i vetëm. Integrimi euroatlantik nuk është vetëm ambicie e jona; jam e bindur se së shpejti do të jetë e ardhmja jonë’’, u shpreh ajo.

Osmani, ndër të tjera, foli për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për demokraci dhe për mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, serbëve në Kosovë u bëri thirrrje që t’i shfrytëzojnë të drejtat e avancuara që ua garanton Kushtetuta e Kosovës.

“Si një popull që ka përjetuar mizori të dorës së parë dhe shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, ne kemi dalë më të fortë, më të qëndrueshëm dhe thellësisht të përkushtuar ndaj kauzës së drejtësisë. Sot, ne nuk flasim vetëm për të drejtat e njeriut, ne veprojmë sipas tyre. Ne qëndrojmë si kampionë të palëkundur, të vendosur për të mbrojtur dhe promovuar këto të drejta për çdo qytetar të Republikës sonë të re, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo përkatësi tjetër.

Në këtë frymë të gjithëpërfshirjes, u bëj thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat e avancuara që ua garanton Kushtetuta e Kosovës. Republika e Kosovës është shtëpia juaj. Dhe ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’u siguruar që ju të ndiheni të përfshirë, të barabartë dhe të dëgjuar”, u shpreh ajo.

Duke folur për konfliktin në Ukrainë, Presidentja Osmani tha së Kosova iu bashkua që në fillim aleancës kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.  Ajo tha s populli i Kosovës i kupton  shumë mirë  vuajtjet dhe dhimbjet e popuullit ukrainas.  

“Populli i Kosovës nuk ka nevojë ta imagjinojë dhimbjen dhe vuajtjen e Ukrainës, ne tashmë e kemi përjetuar atë. Ne nuk kemi nevojë ta imagjinojmë humbjen e tyre, sepse edhe sot e kësaj dite zemrat tona gjakosin për miqtë dhe anëtarët e familjes që humbëm gjatë luftës, shumë prej të cilëve ende janë të zhdukur me dhunë”, tha ajo.

 

Fjala e plotë e Presidentes Osmani në Parlamentin Evropian:

 

Liri, Pavarësi, Demokraci

Freedom, Independence, Democracy (në gjuhën angleze)

Liberté, Indépendance, Démocratie (në gjuhën frënge)

 

E nderuar Presidente Metsola,

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,

Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto në fakt kanë qenë vizion i popullit të Kosovës.

Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet.

Kosova sot është e lirë.

Kosova sot është e pavarur.

Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë.

25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit si “një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”.

Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur.

Në mes të luftës, teksa tanket hynin në vendlindjen time në Mitrovicë, unë isha vetëm 15 vjeçe në atë kohë dhe mbaj mend se si ai moment, ai fjalim, na dha aq shumë shpresë. Më në fund po dëgjoheshim. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht.

Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë.

Ndërsa Presidenti Rugova po e përmbyllte fjalimin e tij, ai përmendi fjalën e urtë të vjetër shqiptare, duke thënë: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh.

Sot jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen tuaj të palëkundur dhe në këtë moment kritik, t’ju bëj thirrje që të qëndroni të palëkundur pranë nesh. Jo vetëm se jemi pjesë e familjes së kombeve që formojnë kontinentin tonë, por sepse vlerat që përfaqëson ky Union janë pjesë themelore e historisë sonë. Vlerat evropiane janë thurur thellë brenda indeve të shoqërisë sonë.

Ne, populli i Kosovës, kemi ecur krah për krah me institucionet evropiane, të lidhur nga një trashëgimi e pasur. Ne vazhdojmë të ecim krah për krah ndërsa luftojmë për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta. Dhe ne do të qëndrojmë krah për krah gjersa e udhëheqim kontinentin tonë drejt arritjes së një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

Sot, unë qëndroj para jush jo vetëm si Presidente e një populli të përbetuar evropian dhe e një vendi të orientuar kah BE-ja, por edhe si Presidentja e evropianëve më të rinj. Vendi ynë është vatër e energjisë së pashterrur, talentit të jashtëzakonshëm dhe entuziazmit të zjarrtë evropian.

Kosova është Evropë, dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian. Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, në mungesë të himnit shtetëor, himni evropian jehoi në institucionet, sheshet dhe rrugët e vendit tim.

Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtrat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit. Të vendosur për t’iu bashkuar familjes evropiane të kombeve dhe të frymëzuar nga Bashkimi Evropian, gjetëm prehë dhe unitet në gjuhën universale të muzikës.

Ky akt shkoi përtej simbolizmit; ishte deklarata jonë për botën se Bashkimi Evropian ishte destinacioni ynë i drejtë dhe një thirrje për institucionet evropiane që të përqafojnë aspiratat tona të palëkundura.

Në moshën 15 vjeçare, Republika e Kosovës mbetet vendi më pro BE-së në rajon dhe më gjerë. Mbi 90% e njerëzve tanë shprehin dëshirën e tyre të pakompromis për t’iu bashkuar këtyre institucioneve, që përmbledhë orientimin tonë strategjik historik.

I gdhendur edhe në kushtetutën tonë, integrimi euroatlantik mbetet destinacioni ynë i parë dhe i vetëm. Integrimi euroatlantik nuk është vetëm ambicie e jona; jam e bindur se së shpejti do të jetë e ardhmja jonë.

Vlerat evropiane dhe fryma e BE-së janë të ngulitura thellë në ADN-në tonë. Janë këto vlera që formësuan të kaluarën tonë, që e frymëzojnë të tashmen dhe na udhëheqin drejt një të ardhmeje ku Kosova lulëzon si fener i idealeve evropiane.

 

Zonja dhe zoterinj,

Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian,

Republika e Kosovës qëndron si testament i qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe shpirtit të palëkundur të qytetarëve të saj, të luftës sonë çlirimtare, si dhe mbështetjes së aleatëve dhe partnerëve, siç është ky institucion i rëndësishëm.

Vetë ekzistenca e vendit tonë dëshmon se çfarë mund të arrijnë demokracitë kur qëndrojnë në krah të të shtypurve; kur qëndrojnë pranë atyre që luftojnë për drejtësi dhe barazi dhe kur të gjithë së bashku qëndrojmë kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit.

Kur qëndrojmë së bashku si evropianë, liria triumfon, demokracitë forcohen, barazia vihet në jetë, prosperiteti rritet dhe aleanca të pathyeshme krijohen. Jam e bindur se i njëjti unitet dhe vendosmëria për të ardhmen euroatlantike do të vazhdojë ta udhëheqë Ukrainën deri në fitore.

Në kohë pasigurishë dhe trazirash të mëdha në Evropë, veprimet që ne ndërmarrim tani – së bashku – do ta përcaktojnë të ardhmen tonë në mënyra thelbësore. Mbase më e rëndësishme do të jetë mënyra se si ne përgjigjemi sesa vetë sfida.

Sfidat morale si ajo me të cilën përballemi sot në tokën evropiane, me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, nuk duhet të kenë nevojë për debate të gjata filozofike apo politike, sepse përgjigja duhet të jetë e mënjëhershme dhe e qartë. Nuk ka rrugë gjysmake drejt demokracisë dhe lirisë. Nuk duhet të ketë zonë gri në qëndrimet tona ndaj autokracive dhe tiranive.

Uniteti evropian deri më tani ka qenë i paprecedentë dhe ndoshta historik, por ne duhet të shkojmë një hap më tej për të siguruar fitoren e Ukrainës dhe një paqe të drejtë. Ky moment, pikërisht tani, kërkon që liderët e Evropës dhe të botës të bashkohen, të imagjinojnë një botë më premtuese dhe të marrin vendime edhe më të guximshme. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Do të duhet guxim, vizion dhe më e rëndësishmja, një bashkëpunim edhe më i madh. Pa marrë parasysh se a flasim për kombe të mëdha apo të vogla, neve duhet të na bashkojnë vlerat në të cilat besojmë. Çdo vend, secili prej jush, secili prej nesh, mund dhe duhet të luajë një rol.

Fjalët ‘kurrë më’ nuk ishin vetëm një moto për popullin e Kosovës. Këto fjalë nuk duhet të jenë thjesht një sllogan për askënd. Por vetëm dy dekada më vonë, ne edhe një herë jemi dëshmitarë të një shkatërrimi të plotë në tokën evropiane ndërsa Putini zhvillon luftën e tij të paligjshme dhe të pamëshirshme.

Populli i Kosovës nuk ka nevojë ta imagjinojë dhimbjen dhe vuajtjen e Ukrainës, ne tashmë e kemi përjetuar atë.

Ne nuk kemi nevojë ta imagjinojmë humbjen e tyre, sepse edhe sot e kësaj dite zemrat tona gjakosin për miqtë dhe anëtarët e familjes që humbëm gjatë luftës, shumë prej të cilëve ende janë të zhdukur me dhunë.

Ne nuk kemi nevojë ta imagjinojmë pikëllimin dhe zhgënjimin e tyre përballë padrejtësive të rënda sepse e ndjejmë edhe ne.

Pra, kur ne, populli i Kosovës themi se ne qëndrojmë me Ukrainën, ne jo vetëm që e themi, por ne e ndjejmë me çdo qelizë të qenies sonë. 24 shkurti 2022 ishte një ditë e zezë për Evropën dhe një ditë e paimagjinueshme dhe e dhimbshme për popullin e Ukrainës. Për ne, ishte një kujtim i rijetuar. Një gjë që shpresonim të mos e përjetojmë kurrë më.

Në ditët tona më të errëta, ju qëndruat pranë nesh. Sot, ndërsa qëndrojmë krah për krah me Ukrainën, bashkërisht po forcojmë vetë themelet e Evropës. Kjo është dëshmi e unitetit tonë të palëkundur, solidaritetit tonë të pathyeshëm dhe përkushtimit tonë të qartë për paqen dhe demokracinë. I detyrohemi Ukrainës, i detyrohemi Evropës – kjo është koha jonë për të dëshmuar unitet, solidaritet dhe mbështetje të cilën ju ia dhuruat me dashamirësi popullit tim në kohën kur ne kishim nevojë. Kosova mund të jetë një vend i vogël, por ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur miqtë tanë ukrainas.

Ne ishim vendi i parë në rajon që vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe vazhdimisht kemi kërkuar mënyra efektive dhe përmbajtësore se si të ndihmojmë: nga trajnimi i ukrainasve në fushën e deminimit, në mënyrë që të sigurohemi që të shpëtojmë sa më shumë jetë nga gjurmët e tmerrshme të luftës që Rusia po lë pas, deri tek puna për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës seksuale, si dhe themelimi i një programi të dedikuar për të mbështetur gazetarët ukrainas që të vazhdojnë të raportojnë të vërtetën. Jemi gati të bëjmë edhe më shumë.

 

Zonja Presidente,

Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian,

Të dashur miq,

Gjatë gjithë historisë sonë, ne jemi përballur me sfida të panumërta dhe kemi tejkaluar situata të pakapërcyeshme për të qëndruar me krenari si një shtet i pavarur. Në të vërtetë, vetë rrugëtimi ynë drejt lirisë, pavarësisë dhe lufta jonë për vetëvendosje, rezonon me vetë themelin mbi të cilin u ndërtua Bashkimi Evropian – një Union i ndërtuar mbi parimet e paqes, demokracisë, të drejtave të njeriut, si dhe njohjës së sovranitetit të njëri tjetrit. Po kështu, edhe mbi parimet e rëndësishme të drejtësisë tranzicionale dhe të ballafaqimit me të kaluarën.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, njerëzit dhe institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar demokracinë tonë.

Popullsia jonë e re dhe dinamike, së bashku me një fuqi punëtore të mirëarsimuar, jo vetëm që e bën vendin tonë një nga vendet më vibrante në Evropë, por gjithashtu formon një bazë solide për rritje të qëndrueshme dhe prosperitet.

Sundimi i ligjit qëndron si themel i çdo demokracie funksionale dhe angazhimi ynë ndaj drejtësisë është i palëkundur. Ne mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të rritur transparencën, si dhe jemi absolutisht të vendosur në përpjekjet tona për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe që të gjithë individët, pavarësisht nga pozicioni apo ndikimi i tyre, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.

Si një popull që ka përjetuar mizori të dorës së parë dhe shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut, ne kemi dalë më të fortë, më të qëndrueshëm dhe thellësisht të përkushtuar ndaj kauzës së drejtësisë. Sot, ne nuk flasim vetëm për të drejtat e njeriut, ne veprojmë sipas tyre. Ne qëndrojmë si kampionë të palëkundur, të vendosur për të mbrojtur dhe promovuar këto të drejta për çdo qytetar të Republikës sonë të re, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo përkatësi tjetër.

Në këtë frymë të gjithëpërfshirjes, u bëj thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat e avancuara që ua garanton Kushtetuta e Kosovës. Republika e Kosovës është shtëpia juaj. Dhe ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’u siguruar që ju të ndiheni të përfshirë, të barabartë dhe të dëgjuar.

Ndërtimi i një shoqërie gjithnjë e më diverse mbetet angazhimi ynë i përditshëm. Këto përpjekje qëndrojnë në themelet e kushtetutës sonë, e cila është një nga kushtetutat më progresive në tokën evropiane.

Por, përpjekjet tona në këtë drejtim do të ishin të kota nëse nuk do të përqendroheshin gjithashtu në avancimin e barazisë gjinore dhe promovimin e fuqizimit të grave në të gjitha sferat e jetës. Bindja dhe angazhimi im i përhershëm, e sidomos prej se jam në krye të Zyrës së Presidentes është të krijoj mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë dhe ta transformoj Kosovën një vend më të barabartë dhe më të mirë për të gjithë. Të pandalshme në luftën e tyre për të ndjekur drejtësinë, të vendosura për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë, të vendosura në angazhimin e tyre për t’i udhëhequr shoqëritë tona drejt lartësive të reja dhe të përkushtuara për të thyer tavanet e qelqit historikisht këmbëngulëse, vajzat dhe gratë e Kosovës, janë një përkujtues e fortë dhe një motivimi i përditshëm për të mos u ndalur kurrë së luftuari për atë që është e drejtë.

Dhe, ndërsa navigojmë në këto kohë të trazuara dhe nëpër kapituj modernë të historisë së karakterizuar nga paqartësi të mëdha, duhet të mos harrojmë rolin përcaktues të grave në proceset e paqes dhe sigurisë. Duhet të kujtojmë se paqja e qëndrueshme kërkon gjithëpërfshirje dhe se paqja dhe siguria lulëzojnë në themelet e demokracive gjithëpërfshirëse.

 

Të dashur anëtarë të këtij institucioni të nderuar,

Historinë e Kosovës e dini të gjithë. Disa prej jush e kanë vizituar, disa e kanë studiuar, disa prej jush kanë luajtur rol në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Por historia e vërtetë e Kosovës, siç them gjithmonë, është historia e njerëzve të saj.

Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij.

Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot.

Me mua sot është një delegacion që është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – përfaqëson historinë e saj të rëndë dhe sfiduese, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të mirë.

Sot me mua është Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe, kur forcat e Millosheviqit e hoqën nga krahët e nënës së saj në shtëpinë e saj për ta çuar në një vend që do të shënonte momentin më të errët dhe orën më të errët të jetës së saj. Atë ditë, ajo u mbajt nën kërcënimin e armëve dhe u përdhunua. Dhe më pas, u përdhunua përsëri.

Por ishte Vasfija ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje. Kështu që ajo e ngriti zërin. Ajo e ngriti zërin për drejtësi dhe kundër stigmës dhe arriti të mbledhë një popull të tërë pas vetes. Ajo jo vetëm që ia kushtoi jetën drejtësisë, por sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë.

Ajo është një heroinë e vërtetë e gjallë, do të thoni. Dhe, nuk mund të pajtohesha më shumë. Por, atëherë më duhet t’ju them se ne jemi të rrethuar nga heroina të panumërta në baza të përditshme në vendin tim, përfshirë Fahrije Hotin. Ajo vjen nga fshati Krushë, ku pothuajse të gjithë burrat u vranë gjatë luftës, duke përfshirë edhe shumë të zhdukur me dhunë. Në mesin e tyre edhe sot e kësaj dite është edhe bashkëshorti i Fahrijes.

E mbetur vetëm, e pandihmë dhe në kërkim të bashkëshortit të saj të dashur, Fahrija mund të kishte zgjedhur të dorëzohej, por ajo zgjodhi të luftonte. Ajo e ktheu pikëllimin në motivim; ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri. Sot, Fahrije Hoti zotëron Kooperativa Krusha, një vend fuqizimi që nisi zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e grave përmes angazhimit të tyre aktiv në fuqinë punëtore në një fshat në Kosovë. Por, më e rëndësishmja, Kooperativa Krusha u kthye në një vend shprese, duke eksportuar tashmë ajvarin e saj të famshëm dhe produkte të tjera në të gjithë Evropën.

Veprimet e saj jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin debutues të regjisores sonë brilante Blerta Basholli, filmi ‘Hive’. Blerta, e cila është poashtu sot me mua, në vitin 2021 në festivalin Sundanc u bë artistja e preferuar e të gjitha kohërave. Filmi që përshkruan me mjeshtëri jetën e Fahrijes dhe grave të Krushës së Madhe, u bë filmi i parë që fitoi të tre çmimet kryesore në një nga garat më të njohura kinematografike botërore. Ajo ka përshkruar në mënyrë të përsosur se si pjesët më të errëta të historisë mund të shndërrohen në një burim të përjetshëm të qëndrueshmërisë, forcës dhe shpresës për të ardhmen.

Dhe teksa flas për një të ardhme më të mirë, nuk mund të mos mendoj për Hana Qerimin, e cila po më shoqëron në këtë vizitë. Ajo është bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, të cilat filluan si dy kompani të vogla në kryeqytetin tonë Prishtinë, fillimisht me vetëm dy punonjës – atë dhe bashkëshortin e saj. Sot, startup-et e tyre janë rritur e shndërruar në marka globale me 500 vendndodhje në mbarë botën. Si shumë biznese të tjera në këtë sektor, ata po e bëjnë Kosovën lider në rajon si qendër teknologjike.

Ndërsa suksesi i kompanisë filloi të kapërcejë kufijtë dhe oqeanet, Hanës i është dashur të kapërcejë sfida pothuajse të pamundura gjatë rrugës. Për shkak të proceseve të vështira dhe burokratike, ajo shpesh do të humbiste mundësinë të gëzonte suksesin e saj e po kështu do të humbiste mundësinë e saj të ardhshme për zhvillimin e biznesit, pasi vizat e saj të lëshuara nga BE-ja do t’i skadonin para se të mund të udhëtonte. Ajo duhej të aplikonte dhe riaplikonte disa herë në vit.

Jeni ju, ky Parlament, që prej vitesh luftoni bashkë me ne për kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Dua të falënderoj secilin prej jush për mbështetjen tuaj të zëshme dhe për votën më të fundit përmes së cilës i dhatë Hanës dhe të rinjve të tjerë të shkëlqyer dhe ambiciozë në vendin tim mundësinë për të lulëzuar ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Bashkimin Evropian.

Jam e sigurt që, si të gjithë ne, do të jeni të lumtur të mos dëgjoni më kurrë fjalët liberalizimi i vizave dhe Kosovë në të njëjtën fjali.

Në të vërtetë, historitë e këtyre njerëzve janë mishërimi i asaj që ne e quajmë qëndrueshmëri. Ata përqafuan të kaluarën dhe e kthyen atë në një forcë shtytëse për të ndihmuar vendin dhe shoqërinë tonë të lulëzojë. Por, duke e bërë këtë, ata gjithmonë kujtojnë rëndësinë e kthimit të së mirës me të mirë. Kjo është mënyra jonë modeste për t’u thënë ‘faleminderit’ aleatëve dhe miqve tanë që na qëndruan pranë në kohët më të errëta dhe na mbështetën gjatë gjithë rrugës teksa po e rindërtonim vendin.

Egzon Syla, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK e di më së miri se çfarë do të thotë të kesh mundësi ta kthesh të mirën me të mirë. Egzoni, i cili është me mua sot, ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. Sot, një 2-vjeçare si dhe shumë të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë.

Ndërsa flas për rëndësinë e kthimit, shikoj Liudmyla-n. Liudmyla Makei ishte gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet tona në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.

Kur mbërriti për herë të parë, Liudmyla tha se zgjodhi Kosovën si destinacion sepse donte ta shihte me sytë e saj jetën në një vend të pasluftës. Ajo e dinte se populli i Kosovës do ta kuptonte më së miri për shkak të përvojave tona të përbashkëta. Por, populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë.

Kur e përjeton shkatërrimin e plotë, fitorja është e çmuar, paqja është qenësore, jeta është e shtrenjtë dhe mundësitë që të ofrohen shfrytëzohen në maksimum. Kjo ndoshta shpjegon përse si pjesëmarrëse dy herë në olimpiada verore, xhudistet tona – Majlinda, Distria dhe Nora – na kanë kanë nderuar me privilegjin e pashoq të së qenurit një vend me 3 medalje të arta; ose ndoshta pse Dua Lipa dhe Rita Ora janë jo vetëm emra të njohur në Kosovë; por edhe në mbarë botën që kryesojnë top listat muzikore botërore; ose pse futbollistët e jashtëzakonshëm kosovarë, burra dhe gra, shkëlqejnë si lojtarë të shquar për shumë nga klubet dhe ekipet kombëtare në vendet tuaja; dhe pse matematikanët tanë të rinj dhe shkencëtarë të tjerë të rinj të shkëlqyer vazhdojnë të na bëjnë krenarë me sukseset e tyre në mbarë botën.

Sa herë që njerëzve tanë u jepen mundësi të barabarta, ne jo vetëm që i tejkalojmë pritshmëritë, ne bëjmë histori dhe vendosim rekorde botërore. Mos harroni këtë, të nderuar deputetë të këtij parlamenti: ne nuk jemi vetëm një vend i atyre që besojnë, ne jemi një vend i atyre që edhe e arrijnë suksesin.

Dhe të gjithë anëtarëve të delegacionit tim, dua t’u them faleminderit. Faleminderit për atë që jeni dhe që e keni bërë Kosovën një vend më të mirë secilën ditë e më shumë. Një vend më të mirë për njerëzit e saj, një vend më të mirë për miqtë tanë, një aleat dhe partner më të mirë për të gjithë.

Për shkak të këtyre individëve të jashtëzakonshëm dhe shumë të tjerëve në vendin tim kam besim se një ditë do të jemi pjesë e këtyre institucioneve.

Sot këtu është edhe një delegacion nga Lugina e Preshevës. Atyre dua t’u them: ne do të qëndrojmë me ju! Ju nuk jeni vetëm! Ju nuk jeni vetëm gjersa ballafaqoheni me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, siç është njohur nga ky Parlament me rezolutën e fundit.

 

Të nderuar deputetë,

Përkundër mungesës së drejtësisë dhe vuajtjeve të mëdha ndër vite, Republika e Kosovës dhe populli i saj vazhdojnë të shikojnë nga e ardhmja – e ardhmja evropiane. Ne ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve tanë dhe këtë e kemi bërë në masë të madhe sepse njerëzit tanë meritojnë një të ardhme më të ndritur, që do të thotë gjithashtu bashkëpunim më të fortë brenda rajonit tonë.

Dhe për aq sa na takon neve, mund të them me besim të plotë se njerëzit dhe institucionet e Kosovës duan paqe të bazuar në drejtësi dhe stabilitet. Paqe të qëndrueshme duke e pas drejtësinë në themel të saj dhe stabilitet të përqëndruar në respektim të sovranitetit, integritetit territorial dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Por sigurisht, në këtë proces, ne kemi nevojë për një lidership të fortë evropian – i cila dëshmohet kaq shpesh në këtë Parlament – në çdo institucion. Kjo do të kërkojë një udhërrëfyes proaktiv, të besueshëm dhe të drejtpërdrejtë drejt së ardhmes së rajonit tonë në familjen evropiane.

Përparimi ynë në rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të shërbente si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, siç kanë bërë historikisht, vazhdojnë të mbjellin përçarje.

Edhe pse vendi im përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë, jam i sigurt se e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer ato është përmes partneriteteve dhe aleancave.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por këto vlera në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, rrezikojnë të zbehen.

Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike.

Jam e sigurt se të gjithë do të pajtoheni se anëtarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së, nuk e dobësoi atë. Anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Unë e di se për shumë prej jush, siç e thotë një shprehje, unë tashmë po u predikoj të konvertuarve. Por, Parlamenti Evropian, si organ vërtet demokratik i këtyre institucioneve, si mbrojtës i vullnetit të evropianëve në të gjithë këtë Union, jam e bindur se do të vazhdojë të ketë një rol jetik drejt nxitjes së integrimit tonë.

Kosova nuk është një vend i largët. Është pjesë integrale e Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është thjesht një “lagje”, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar aplikuam për anëtarësim në BE dhe shpresojmë që institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së do ta mbështesin aplikimin tonë.

Ne llogarisim në lidershipin dhe vendosmërinë që tregon kaq shpesh ky Parlament. Dhe në këmbim, dua t’ju siguroj se durimi ynë nuk do të shuhet. Nuk do të largohemi kurrë nga rruga jonë euroatlantike. Ne kurrë nuk kemi parë në ndonjë drejtim tjetër dhe as nuk do ta bëjmë kurrë.

Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku.

Është koha për vendime të guximshme, jo për masa gjysmake, në aspektin e integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu pranë jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, sepse një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe është e mundur vetëm kur jemi të gjithë këtu, në këtë Parlament, si të barabartë, duke promovuar dhe mbrojtur Evropën kolektivisht.

Ne i njohim sfidat që na presin në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Por Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë t’i bie rrugës së shkurtër. Ne besojmë në një proces të bazuar në merita, për vendet që me të vërtetë respektojnë dhe veprojnë sipas asaj që përfaqëson BE-ja. Sepse, ne nuk mund të kemi unitet evropian, pa vlera evropiane.

Ne nuk mund të kemi paqe, stabilitet dhe prosperitet, pa anëtarë që janë të gatshëm t’i promovojnë këto vlera brenda vendeve të tyre dhe t’i mbrojnë ato kolektivisht kur ato sulmohen.

Ne jemi të gatshëm t’i bashkojmë forcat me ju, për të kontribuar për një Evropë më të fortë, më të begatë dhe të bashkuar.

Na lejoni të kemi mundësinë të shfaqim atë që kemi arritur; na lejoni të kemi mundësinë të begatojmë jetën e qytetarëve tanë ndërsa ndërmarrim reforma në rrugëtimin tonë drejt BE-së; na lejoni të japim edhe ne kontributin tonë për anëtarët e kësaj familjeje kombesh e cila na ka dhënë kaq shumë.

Le ta shfrytëzojmë të gjithë së bashku këtë mundësi historike dhe duke e bërë këtë, të riafirmojmë përkushtimin për një Bashkimi Evropian të drejtë, të barabartë dhe solidar. Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do t’i fuqizoj qytetarët tanë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh.

 

E nderuara Presidente Metsola,

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,

Të dashur miq të Kosovës,

Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Saharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së çmimit në vitin 1991, ai tha: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqedashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.

Sot, zonja Presidente, të nderuar deputetë, dua t’ju falënderoj që më keni dhënë nderin e madh të jem zëri i popullit të Kosovës para këtij institucioni të çmuar.

Shpresoj që kjo seancë plenare të ketë shërbyer si një takim mendjesh, një ribashkim miqsh dhe një testament për atë që ne përpiqemi të bëhemi. Ndërsa synojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë, nuk duhet të harrojmë kurrë se nga kemi ardhur. Duhet të kujtojmë gjithmonë se si arritëm këtu dhe kush na qëndroi pranë në kohë gëzimi dhe pikëllimi.

Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë.

Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore.

Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane.

Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Dy ngjyra që tregojnë një histori.

Qielli blu dhe dielli i verdhë.

Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri.

Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti.

E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë.

Faleminderit.

(r.m.)