Osmani në Samitin e SEECP-së: Bashkë kundër tendencave destabilizuese në rajon

Selanik, 11 qershor 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, në Selanik, ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, për rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë e gjithëpërfshirjes dhe për nevojën e përshpejtimit të procesit për integrimin e Kosovës dhe vendetve të tjera të rajonit në institucionet euro-atlantike.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Më pas, ajo ka folur për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe për rrezikun e ndikimit të Rusisë në rajon.

“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos ia hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka nënvizuar se shtetet e rajonit duhet të kenë qëndrim unik për ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe për miratimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Presidentja osmani ka përsëritur edhe një here rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka folur edhe për pasojat e vonesës së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët,  studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, ka theksuar Osmani.

Ajo e ka cilësuar këtë si padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që pa vonesë të heqë vizat për kosovarët.

Gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidentja Osmani ka pasur takime dypalëshe me Kryeministrin e Greqisë, Kiriakos Mitsotacis, me kryetarin e Këshillit të BE-së Charles Michel, me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, me kryeministrin e Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe me kryeministren e Moldavisë, Natalia Gavrilița.

Në këto takime, Presidentja Osmani theksoi nevojën për përshpejtimin e integrimit të shteteve të rajonit në institucionet euro-atlantike dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Të shtunën, Presidentja Osmani ka shkëmbyer pikëpamjet e saj  edhe në darkën e përbashkët të krerëve të vendeve të Evropës juglindore me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Në një postim në Twitter, ajo ka shkruar se Kosova është e bekuar për mbështetjen e kancelarit scholz dhe miqësinë me Gjermaninë.  

(r.m.)