Osmani në Samitin për Demokracinë: Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci

Prishtinë, 9 dhjetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin de saj në Samitin për Demokraci, ka thënë se demokracia përbën themelet e shtetit të Kosovës.

Ajo ka theksuar se Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte ndërtuar projektin për  shtetin e  Kosovës duke u mbështetur në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci:

“Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci”, ka thënë presidentja Osmani në fillim të fjalës së saj.

Ajo ka theksuar se demokracia në Kosovë është avancuar përmes zgjedhjeve të lira, lirisë së medies dhe standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, por ka theksuar se “demokracia s’është kurrë projekt i përfunduar”.

Presidentja Osmani ka prezantuar tri objektivat e Kosovës për demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë: Forcimin e sundimit të ligjit, forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe themnelimin e e një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Ajo ka shpjeguar se ky këshill presidencial “do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”.

Presidentja Osmani ka thënë se vitin e ardhshëm ajo do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri, kju pret të bashkohen liderë nga mbarë bota.

Fjala e plotë e Presidentes Osdmani:

I nderuari President Biden,

Të nderuar pjesëmarrës,

Po ju drejtohem si Presidente e Republikës së Kosovës, një nga demokracitë më të reja por edhe më aktive në botë.

Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci.

Sot, Kosova vazhdon të përparojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me tranzicion paqësor të pushtetit, liri të pacenuar të mediave dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në kushtetutën tonë.

Por, Demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar apo i kufizuar në kohë. Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës. Ne do të:

  1. Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm.
  2. Forcojmë rolin e gruas në shoqërinë tonë duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore.
  3. Do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë.

Ne nuk duhet ta marrim demokracinë si të mirëqenë dhe duhet ta mbrojmë pa u dorëzuar asnjëherë. Qoftë një vend i madh apo i vogël, ne të gjithë mund të bëjmë një ndryshim, veçanërisht nëse i bashkojmë forcat. Andaj, ne zotohemi së do të punojmë me ju të gjithë për t`i arritur objektivat tona, për t`i ndarë praktikat më të mira, për ta kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën.

Në këtë frymë, unë do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022 që do të bashkojë liderë nga e gjithë bota.

Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë.

Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje!

Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim!

(r.m.)