Osmani në takim me Escobarin: Serbia po përpiqet të minojë dialogun për njohje të ndërsjellë

Prishtinë, 12 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot pasdite në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Zyra e Presidentes Osmani bën të ditur se situate në pjesën veriore të Kosovës ka qenë temë qendrore e bisedës.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e  Bashkuara të Amerikës për mesazhin e qartë lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit. Ajo e ka vlerësuar kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave, për ndalimin e kërcënimeve e të frikësimit të qytetarëve dhe të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe zyrtarëve të komisionit zgjedhor.

Presidentja Osmani ka theksuar se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë.

Ajo e ka vlerësuar urgjente heqjen e barrikadave në veri të vendit, të vendosura nga strukturat ilegale serbe, të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi.

Në takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë-serbi. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, ndërsa veprimet e Serbisë i ka cilësuar si përpjekje për minimin e dialogut për njohje të ndërsjellë.

Zyra e presidentes njofton se në takim është diskutuar edhe për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, në veçanti për kërkesën e Presidentes Osmani për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve  dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, të bërë në muajin qershor 2022.

(r.m.)