Prishtinë, 19 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të hënën në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralin Oezkan Ulutash.
Zyra e Presidentes Osmani bëri të ditur se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe paretnerët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të hartojnë një plan të përbashkët për hapjen e urës.
“Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka shkruar për takimin edhe në Facebook. Ajo ka thënë se hapja e Urës së Ibrit është në interes të të gjithë qytetarëve, duke theksuar se kjo mund të arrihet bashkë me aleatët.
“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”, ka shkruar Osmani.
Një muaj më parë Qeveria e Kosovës njoftoi se ka në plan hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës (SHBA, BE dhe vendet e QUINT-it e kundërshtojnë hapjen e urës në mënyrë të njëanshme. Edhe KFOR-i e kundërshton hapjen e urës pa një marrëveshje politike, pasi druan se kjo do të provokonte veprime që paraqesin rrezik për sigurinë e rajonit.
Ura e Ibrit është simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Pjesa veriore e qytetit është e banuar me shumicë serbe, ndërsa pjesa jugore është e banuar mer shumicë shqiptare. Tri ura të tjera mbi lumin Ibër janë të hapura për qarkullim në të dy pjesët e qytetit.
(r.m.)