Osmani në takim me Senatorin Reed: Kosova është histori suksesi falë mbështetjes së SHBA-së

Prishtinë, 8 gusht 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorin Jack Reed, kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve.

Presidentja Osmani e ka thënë se Kosova është një histori suksesi falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj populli i Kosovës është populli më proamerikan në botë

“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar mbështetjen e gjthanshme të ShBA-ve për Kosovën dhe ka veçuar në mënyrë specifike mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

Ajo ka theksuar se anëtarësimi në NATO, si edhe në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian mbeten objektivat krrysore të Kosovës.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe, andaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në Partneritetin për Paqe, si hap drejt anëtarësimit në NATO”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani e ka njoftuar senatorin Reed edhe për situatën e sigurisë dhe për zhvillimet politike në Kosovë. Ajo ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për shtensionimin e situatës në katër komunat veriore dhe ka theksuar se është Serbia ajo që vazhdon veprimet destabilizuese në Kosovë dhe në rajon.

Presidentja Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kosovës garanton shkallë të lartë të të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. 

Senatori Reed është takuar edhe me Kryeministrin Albin Kurti. Si njofton zyra e Kryeministrit, Kurti e ka vënë theksin te rritja e buxhetit për mbrojtje dhe te ngritja e kapaciteteve të ushtrisë. Ai ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionet paqeruajtëse të forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Senatori Reed ka thënë se mbështetja e Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e ka vlerësuar gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim me SHBA-të në interes të paqes e stabilitetit, si edhe progresin e arritur në Kosovë.

Senatori Reed: Mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999, një nga veprimet më të çmueshme të SHBA-së

Kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit. Gjatë vizitës në Kosovë, ai do të takohet edhe me ushtarët nga Rhode Island, të cilët janë pjesë e kontigjentit të trupave amerikane të KFOR-it.

(r.m.)