Osmani në Tiranë: Evropa të lëvizë nga fjalët në vepra

Tiranë, 6 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë, shfaqi shpresën se samiti do të përfundojë me shprehjen e vullnetit për integrimin e shpejtë të vendeve të rajonit në BE.

“Jam shumë e lumtur që gjendem në Tiranë, shpresoj që konkluzionet dhe deklarata do të shfaqin këtë përbashkësi të BE drejt një procesi të përshpejtuar drejt BE-së”, deklaroi ajo.

Osmani tha se vendet e BE pritet të dërgojë mesazh të qartë se tani, në kohën e agresionit rus ndaj Ukrainës, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë, siç u shpreh, “në krahun e duhur të historisë”.

“Ne do lobojmë për të ecur përpara për të përçuar mesazhe të forta nga Ballkani Perëndimor. Ose je krah Rusisë ose krah Ukrainës, dhe kjo duhet të vlejë. BE do t’i dërgojë mesazh të qartë Ballkanit Perëndimor. Të jemi në krahun e duhur të historisë. Kjo duhet pritur”, tha ajo.

Presidentja Osmani bëri të ditur se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE në fund të këtij viti.

“Kosova do të paraqesë në fund të këtij viti aplikimin për anëtarësim në BE”, tha ajo.

Presidentja Osmani i bëri thirrje BE-së që “të lëvizë nga fjalët në vepra” edhe përsa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jam këtu si përfaqësuesja e vendit më pro-evropian që ekziston. Na duhet që BE-ja të lëvizë nga fjalët në vepra, sidomos kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovë”, u shpreh ajo.

Osmani tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor nuk është vendi të diskutohet për dialogun dhe negociata mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo çfarë po tregon Kosova këto ditë është e kundërta e asaj që po tregon Vuçiqi. Kosova po e shtrin dorën e dialogut, ndonëse ata (liderët serbë0 nuk kanë kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë ajo.

(r.m.)