Tiranë, 4 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi përsëri Serbinë se synon që në Ballkanin Perëndimor të zbatojë një plan destabilizues, të ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët për medie me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, Presidentja Osmani tha se Beogradi zyrtar po provokon vazhdimisht tensione në pjesën veriore të Kosovës, njëjtë me provokimet e Moskës në rajonin e Donbasit, në Ukrainë, në vitin 2014.
“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, tha Osmani.
Ajo u bëri thirrje të gjitha vendeve demokratike që të bashkëveprojnë për të parandaluar çfarëdo veprimesh destabilizuese në raon.
“Prandaj, sa i përket asaj që ngjan në veri, ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i sjellin ilegalisht në veri të Kosovës. [Serbia] vazhdimisht i terrorizon, frikëson e sulmon qytetarët serbë që jetojnë në veri. Vazhdimisht fut grupe transnacionale të krimit të organizuar në veri. Kjo është një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Shqipëria dhe Kosova janë faktorë stabiliteti në rajon.
“Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon. Duhen krijuar të gjitha premisat, që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe faktor stabiliteti në rajon. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit”, tha ai.
Begaj tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që u arrit në shkurt. Sipas tij, kjo marrëveshje do të çojë në njohjen reciproke. Njëkohësisht, ai kërkoi nga Kosova që të ketë koordinim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në veri të Kosovës dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorët të tretë dashakeqës duhet një koordinim më i mirë dhe më i ngushtë me partnerët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra”, tha Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar përsëriti disa herë se Kosova është prioritet kombëtar dhe se të gjitha strukturat institucionale të Shqipërisë po punojnë që Kosova të rrisë numrin e njohjeve ndërkombëtare, por edhe të anëtarësohet në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidentja Osmani i minimizoi mospajtimet dhe përplasjet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet në pjesën veriore të Kosovës. Ajo e ka cilësuar atë si përplasje të momentit që “është tejkaluar”.
“Jam e bindur që çdo diskutim i momentit që mund të ketë çuar në mospajtime tashmë është tejkaluar. Qëllimi ynë është i përbashkët: Kosova sovrane dhe e pavarur. Unë angazhohem në arritjen e këtij qëllimi, për tejkalimin e çdo mospajtimi të momentit”, tha ajo.
Vjosa Osmani ndodhet në një vizitë dy ditore në Shqipëri me ftesë të Presidentit Bajram Begaj. Gjatë kësaj vizite ajo do të ketë një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama.
Të martën, ajo do të vizitojë Beratin, ku do të nderohet me titullin “Patroni i Kalasë’’, i cili u jepet personaliteteve të rëndëishme që e vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë në dobi të qytetit, me veprimtarinë e tyre.
(r.m.)