Prishtinë, 7 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Zyra e Presidentes njofton se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, si edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka njoftuar diplomaten amerikane për përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, përmes strukturave ilegale dhe bandave kriminale serbe. Ajo e ka trajtuar në këtë kontekst edhe ndalimin e 16 serbëve në Gjakovë dhe në Prizren, të shtunën dhe të dielën.
“Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Presidentja Osmani diskutoi me znj. Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftim.
“Presidentja theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës. Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.
“Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie. Ajo falenderoi të gjitha institucionet e sigurisë për punën në mbrojtje të vendit dhe diskutoi me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.
Aty bëhet e ditur se Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e saj për thellimin e aleancës strategjike të Kosovës më Shtetet e Bashkuara.
“Presidentja e njoftoi znj.Prattipati edhe për hapa të tjerë konkretë që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
(r.m.)