Osmani: Njohja e Kosovës nga 5 vendet e BE-së forcpn paqen e stabilitetin në rajon

Prishtinë, 19 tetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pranuar të martën “Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën” nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Me këtë rast, Presidentja Osmani ka thënë se Republika e Kosovës e ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ajo ka theksuar se asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të reja të Kosovës për sundimin e ligjit dhe për mbrojtjen e integritetit të institucioneve. 

Presidentja Osmani ka theksuar se ajo, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, do të jetë punojë për realizimin e këtyre prioriteteve.

Ajo ka vlerësuar se angazhimi në rritje i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reformave evropiane duhet të përcillet me diskutime të përbashkëta me institucionet e Bashkimit Evropian dhe me shtetet anëtare për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ajo ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja Osmani e ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar si reflektim të përmbushjes së të gjitha kritereve që burojnë nga procesi i vlerësimit të veprimeve të institucioneve te Kosovës.

Ajo ka theksuar se liberalizimi i vizave është qenësor për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së në raport me zbatimin efektiv të politikës së zgjerimit, të bazuar në meritat dhe rezultatet e angazhimeve të shteteve kandidate.

(r.m.)