Osmani nuk pajtohet me konstatimet e Komisionit Evropian për vetting-un

Prishtinë, 20 tetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk pajtohet me konstatimin e Komisionit Evropian se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet shqetësim serioz.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Osmani tha se mungesa e vetting-ut do të ishte shqetësim serioz, e jo realizimi i këtij procesi.

“Mosrealizimi i vetting-ut nuk u kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sundimit të ligjit dhe as së ardhmes evropiane të vendit tonë”, tha Osmani.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në Raportin e Progresit të KE-së, që u publikua më 19 tetor, thuhet se plani i Qeverisë së Kosovës që të bëjë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve” është “burim serioz i shqetësimit”.

“Një proces i tillë do të duhej të konsiderohej vetëm si një masë e jashtëzakonshme, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore. [Procesi] do të duhej të ishte në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, thuhet në Raportin e Progresit.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për formën sesi do ta bëjë vetting-un. Më 13 tetor, ajo ka miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi, i cili është thënë se ka për synim forcimin e sundimit të ligjit.

“Për dallim nga ajo që konstatohet në raportin e BE-së, ky proces do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë, raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë konstatuar ngecjet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuatë për trajtimin e këtyre ngecjeve. Me mekanizmat ekzistues nuk do të ketë mundësi të realizohen reformat e dëshiruara në sistemin e drejtësisë”, tha Osmani.

Ajo tha se do të kërkojë që ky proces të mos ndalet, por të përshpejtohet si një domosdoshmëri.

(REL)