Prishtinë, 23 gusht 2022 – Kosova është në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe vendimet që merr reflektojnë frymën kushtetuese, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi takoi të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar ka nisur vizitën e tij në Prishtinë, teksa bashkësia ndërkombëtare po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që nxitën rritjen e tensioneve midis dy shteteve.
Edhe vizita e Escobarit në Kosovë është thënë se është në kuadër të përpjekjeve që të bindin palët që të tejkalojnë tensionet.
“Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, shkroi Osmani në një postim në Facebook, pas takimit me të dërguarin amerikan.
Escobar po qëndron në Prishtinë pesë ditë pas rundit të fundit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk arritën ndonjë marrëveshje.
Takimi u thirr me synim uljen e tensioneve, pasi serbët lokalë në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.
Escobar atë ditë u raportua se ishte brenda ndërtesës ku u mbajtën takimet, por SHBA-ja nuk është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në dialog, por mbështet BE-në në këtë proces.
Gjatë javës, në Prishtinë dhe Beograd do të qëndrojë edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar që të vazhdojnë dialogun për të gjetur një zgjidhje për targat dhe dokumentet serbe para 1 gushtit.
Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u zotua që do të shtyjë zbatimin e vendimeve për 1 shtator.
Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij me dëshpërim po kërkon që të gjendet një zgjidhje para 1 shtatorit, teksa më 21 gusht ka deklaruar se të gjitha propozimet e tij janë refuzuar nga Kurti gjatë rundit të 18 gushtit.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më herët ka thënë se vendimet e Qeverisë për targat dhe dokumentet janë ligjore dhe se Kosova është e gatshme të heqë dorë nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, nëse edhe Serbia bën të njëjtën gjë.
(REL)