Prishtinë, 11 mars 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është ardhur koha që Kosova të pranohet në NATO, për të kontribuuar për stabilitetin dhe sigurinë globale, si anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar.
“Stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”, tha Osmani, të martën në Prishtinë, në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte,
“Në Kosovë gjithnjë do të jeni si në shtëpinë tuaj, një shtëpi e ndërtuar në liri edhe me kontributin e mijëra grave dhe në uniformë të KFOR-it mision ky që mbetet më i gjati, më i madhi, por edhe më i suksesshmi në historinë e NATO-s. Uroj që shumë shpejt Kosova të jetë ulur krah për krah me vendet tjera të NATO-s. Ky popull përpara 25 vitesh u shpëtuar nga NATO dhe tash pret që të jetë krah për krah me NATO-n”, shtoi ajo.
Presidentja Osmani tha se Kosova tashmë i ka arritur objektivat e NATO-s dhe theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me aleatët.
“Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s… Për ta rritur këtë na duhet bashkëpunim më shumë me NATO-n. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm me sfidat që po ballafaqohemi si dhe kërcënimet që vazhdojnë të rëndojnë mbi sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit. Serbia vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet. Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin. Sulmet në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj NATO-s në vitin 2023 të organizuara dhe të mbështetura ndaj strukturave të Serbisë, janë dëshmi e qartë e këtij rreziku”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani tha se prania e NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci vetëm për paqen në Kosovë, por është edhe barrierë e çfarëdo përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ajo shtoi se Kosova synon të thellojë partneritetin me NATO-n dhe me shtetet anëtare, duke përmirësuar dhe zhvilluar Ushtrinë e Kosovës (FSK) në një forcë bashkëkohore dhe profesionale.
Ajo përsëriti nevojën e nxjerrjes para përgjegjësisë të grupeve të armatosura serbe që kryen sulmet terroriste në Kosovë.
“I bashkohemi thirrjes të përsëritura të BE-së dhe NATO-s për përgjegjësi ndaj sulmeve të ushtarëve të NATO-s. Mungesa e përgjegjësisë të autorëve veçse e ka inkurajuar Serbinë për sulme të tjera”, tha ajo.
Osmani tha se si Serbia vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo theksoi se në rajon nuk duhet të ketë vakuume të sigurisë, duke theksuar se kjo do të keqpërdorej nga faktorë malinj.
“Siç e thatë ju me të drejtë, në Bosnje e Hercegovinë, ky rajon s’bën të ketë vakuume të sigurisë, sepse, siç ka dëshmuar historia, ato janë keqpërdorë shpesh herë nga faktorë malinj, të cilëve nuk u intereson paqja dhe siguria, por kaosi dhe jo stabiliteti”, u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovë, edhe në një postim në Facebook, theksoi se pranimi i Kosovës në NATO është factor për paqen ne rajon.
“Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik, por domosdoshmëri për paqen”, shkruan ajo.
“Si vend që e ka tejkaluar objektivin e NATO-s për investime në mbrojtje prej 2% të GDP-së dhe po ndërton një forcë moderne të sigurisë, në përputhje me standardet e Aleancës, synimi ynë është i qartë: anëtarësimi në NATO si një kontribuues i palëkundur për sigurinë rajonale dhe globale”, therkson ajo.
(r.m.)