Osmani për liberalizimin e vizave: Qytetarëve të Kosovës u është bërë padrejtësi e madhe

Bruksel, 23 qershor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para fillimit të Samitit të BE-sw, tha se shpreson që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave sa më shpejtë, pasi sipas saj, është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ajo shtoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, derisa shtoi se vendi ka përgjigje për të gjitha shqetësimet që shtetet anëtare mund t’i parashtrojnë në drejtim të Kosovës për këtë çështje.

“Për vizat ne shpresojmë që po, sidoqoftë nuk dëshiroj të ngrisë pritjet në këtë kohë sepse ky proces nuk është në duart tona më. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave 4 vite më parë. Ne kemi përgjigje për gjitha shqetësimet e shteteve anëtare dhe tani është rreth kohës që shtetet anëtare mbështesin këtë proces sepse është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

Osmani shtoi se shpreson që Bashkimi Evropian do të japë një mesazh të qartë për perspektivën e Ballkanit Perëndimor.

“Jam këtu për të të folur për popullin e Kosovës që kemi nevojë një zë të qartë nga Bashkimi Evropian. Ne kemi nevojë për një mesazh të përbashkët nga Bashkimi Evropian në drejtim të Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë që lihet, aq më shumë faktorët e jashtëm të tjetër mund ta përdorin atë. Kështu që shpresojmë që ta dëgjojmë një perspektivë të qartë sot prej të gjithë shteteve anëtare të BE-së”, tha presidentja.

Pak para se të fillojë Samiti i BE-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me homologun francez, Emanuel Macron.

Franca është një nga vendet që nuk e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Dje, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

(Kallxo.com)